- Agjërimi prishet vetëm në këto kushte:
1. Të ketë dituri mbi gjërat që e prishin.
2. Të jetë i vetëdijshëm mbi prishjen (të mos jetë prishja prej harresës).
Gjërat, të cilat e prishin agjërimin, mund të jenë të llojit që dalin nga organizmi si: vjellja me dëshirë, ardhja e menstruacioneve, ose të llojit që hyjnë në organizëm, si ushqimet dhe pijet.
- Nga gjërat që e prishin agjërimin dhe që janë të ngjashme me ushqimet dhe pijet, përmendim: ilaçet, tabletat, infuzionet dhe transfuzioni i gjakut. Pastrimi i plagës (edhe nëse rrjedh gjak), pastrimi i syve, i hundës dhe heqja e dhëmbit nuk e prishin agjërimin.
- Ilaçet, me të cilat bëhet shpëlarja e gojës, nuk e prishin agjërimin, edhe nëse në gojë mbetet aroma dhe shija e tyre.
- E nëse ha apo pi me harresë, atëherë duhet ta vazhdojë agjërimin, sepse atë e ka ushqyer Allahu i Madhëruar. Nëse sheh dikë duke ngrënë me harresë, duhet t’i tregojë atij se është agjërueshëm, duke e bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “…bashkëpunoni në të mira dhe devotshmëri.” El-Maide 2
- Kush ka nevojë ta prishë agjërimin për të shpëtuar dikë nga vdekja, i lejohet ta prishë dhe ta kompesojë më vonë, siç është rasti i shpëtimit të atij që është duke u mbytur ose të fikurit e zjarrit etj.
- Kur një agjërues kryen marrëdhënie seksule, prishet agjërimi, ka ejakuluar apo jo, ky person obligohet të pendohet, ta plotësojë këtë ditë me kompesim dhe shpagim të rreptë për të, ashtu siç thuhet në hadithin e Ebu Hurejres (radijallahu anhu): - Ishim të ulur pranë Profetit (alejhi selam) kur erdhi një burrë dhe ky e pyeti: - “Cfarë ke?”, - ai u përgjigj - Kam bërë marrëdhënie me gruan time duke qenë agjërueshëm. Profeti (alejhi selam) i tha: - A ke mundësi të agjërosh dy muaj radhazi? Jo! - tha ai.
- A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër?
- Jo – iu përgjigj ai,…” Buhariu
Lejohet puthja ose prekja e gruas nga burri i saj agjërues, nëse ai e zotëron epshin, duke u bazuar në hadithin e Aishes (radijallahu anha), se Profeti (alejhi selam) e puthi duke qenë agjërueshëm, mirëpo e kishte përmbajtur veten e tij.
- Nëse një person zgjohet xhunub, agjërimi i tij është i plotë dhe i lejohet që ta shtyjë gusulin deri pas agimit, kjo vlen edhe për gusulin pas menstruacioneve apo lehonisë, mirëpo duhet të shpejtojë për namazin e sabahut.
- Ai, i cili masturbon (vetëkënaqet) gjatë ditës së Ramazanit, obligohet të pendohet tek Allahu i Madhëruar e të vazhdojë pjesën e mbetur të ditës, gjithashtu ai duhet ta kompensojë këtë ditë. E nëse ka filluar të masturbojë dhe është ndaluar duke mos ejakuluar, obligohet me teube e jo me kompesim, për shkak të mos ejakulimit. Theksojmë këtu, se ky është një veprim kategorisht i ndaluar edhe jashtë agjërimit.
Duhet që agjëruesi të largohet nga çdo gjë që e ngacmon epshin e tij.
Dalja e një lëngu para spermës (që quhet medhij) nuk e prish agjërimin.
- Ai që ka vjellë pa dashje, nuk ka kompesim, ndërsa ai që kërkon të vjellë qëllimisht duke futur gishtin në gojë, duke shtypur barkun, duke nuhatur ndonjë aromë që i provokon vjelljen apo duke shikuar vazhdimisht në ndonjë vend ngacmues për vjellje, obligohet që ta kompesojë atë ditë. E nëse vjell pa qëllim, nga ndonjë çrregullim në organizëm, agjërimi i tij nuk është prishur.
- Është i urryer shijimi i panevojshëm i ushqimit gjatë agjërimit, ndërsa ai që ka nevojë, siç është rasti i kuzhinierit apo nënës që përgatit ushqimin për fëmijën, i lejohet ta provojë me gjuhë, por të mos e përcjellë në stomak.
- Nëse agjëruesi është i plagosur ose i del gjak nga hunda dhe i shkon në fyt, ose uji apo benzina duke punuar, pa dëshirën e tij, atëherë agjërimi i tij është i saktë. Edhe nëse i depërtojnë deri në brendësi të mushkërive, pa qëllim, pluhurat, tymërat ose ndonjë mizë, agjërimi i tij është i saktë.
- Pirja e duhanit është një nga veprimet që e prishin agjërimin dhe nuk është arsye për të justifikuar mosagjërimin, sepse mëkati nuk mund të jetë arsye.
- Zhytja në ujë nuk e prish agjërimin, gjatë agjërimit lejohet lagia e kokës me ujë për shkak të nxehtësisë. Notimi është i papëlqyeshëm gjatë agjërimit, për shkak të mundësisë së prishjes së tij.
Nëse dikush ha, pi ose ka bërë marrëdhënie seksuale, duke menduar se ka ende kohë, e pastaj sheh se ka aguar, nuk obligohet me asgjë. Kjo është thënë qartë në ajetin e Kur’anit, ku flitet për dallimin mes perit të bardhë nga peri i zi në agim.
Nëse hap iftarin duke menduar se dielli ka perënduar, e ndërkohë ai akoma nuk ka perënduar, atëherë ky person duhet ta kompensojë këtë ditë sipas mendimit të shumicës së dijetarëve pasi është ende ditë.
Nëse agon dhe në gojën e dikujt ka mbetur ende ndonjë ushqim ose pije, dijetarët janë të mendimit se duhet ta përfundojë atë që ka në gojën e tij. I njëjti qëndrim është dhe për atë person që ha ose pi diçka në harresë.
0 komente :
Post a Comment